Rud Van Nistelroi ishte një nga favoritët më të mëdhenj të tifozëve të Mançester Junajtidit. “Këpuca e Artë” e vitit 2003 dhe golshënuesi i madh i pesë sezoneve me radhë pati një largim të papritur në verën e vitit 2006, kur ishte ende 30 vjeç dhe mund të jepte ende shumë. Pavarësisht 150 golave të shënuar për “djajtë e kuq” në 219 ndeshje, holandezi kishte edhe një anë shumë negative, dhe kjo kishte të bënte me mendjemadhësinë e tij, duke e bërë të pakontrollueshëm. Kur kjo i ndodhte një mjeshtri të stolit si Sër Aleks Ferguson, imagjinohet sesa situatë e vështirë ishte.
E gjitha kjo ndoshta ia bëri më të qartë vendimin trajnerit të famshëm në verë të 2006-ës, kur Van Nistelroi kaloi çdo cak në një moment të caktuar. Kristiano Ronaldos, në atë kohë djalë fare i ri tek Mançester Junajtid, sapo i kishte vdekur i jati, për fat të keq njeri i alkoolizuar. Rudi e talli, në momentin më të papërshtatshëm, duke i thënë se “mos u mërzit, ti ke gjetur një baba të dytë te Karlosi (Keiroz, ndihmësi i Fergusonit)”. Keiroz i kërkoi Van Nistelroit të tregonte më shumë respekt, por ai lëshoi fjalinë e rëndë, “unë nuk respektoj asnjë këtu”. Ferguson nuk mund të priste më shumë dhe i tregoi derën.
Holandezi shkëlqeu edhe për 2 vjet tek Reali, duke dalë kampion dhe duke fituar Këpucën e Artë të Spanjës në 2007, por historia me Ronaldon nuk u harrua. Van Nistelroi u largua nga Reali në 2009-2010, pikërisht në sezonin kur Kristiano mbërriti aty, dhe në moshën 34-vjeçare nuk pati më çfarë t’i jepte futbollit.
Sfidanti.al