Goran Dragiç merr një dhuratë të veçantë nga e ëma e Drazhen Petroviçit

Goran Dragiç, në historinë e basketbollit, do të shënohet si individi më i mirë në kampionatin evropian 2017. Ky basketbollist yll slloven, me performancat e tij fantastike, i dha medaljen e artë përfaqësueses së vet të Sllovenisë, për më tepër që ai shënoi 35 pikë në ndeshjen finale ndaj Serbisë që ekipi i Dragiçit e fitoi 93-85.

Ky pjesëtar i ekipit që luan në NBA, Majami Hits, mori shumë lavdërime dhe vlerësime mbas Eurobasketit 2017, por dhuratën e vërtetë ai e mori, dje, kur në duart e tij mbërriti bluza legjendare me nr.3 të ekipit Nju Xhersi Nets që, dikur, i përkiste basketbollistit, ndoshta, më të mirë të këtyre hapësirave dhe idhullit të shumë brezave, kroatit Drazhen Petroviç.

“Jam shumë i emocionuar. Përfundimisht, kjo është një nga dhuratat me të çmuara që unë kam marr në jetën time. Drazheni ka qenë idhulli im dhe ne, të gjithë, e dimë se çfarë ka bërë ai për basketbollin jugosllav”, tha Goran Dragiçi, ndërkohë që nëpër faqe atij i rridhnin lot, duke marrë në duar dhuratën e dërguar nga Biserka Petroviç.

Sfidanti.al