Si mund të vuajë Bajerni me Hames Rodrigezin, Vidalin e Levandovskin?!

Bajerni i Mynihut u rikthye në krye të Bundesligës, madje në mënyrë të bujshme. Skuadra e Karlo Ançelotit tregoi se “dardha e ka bishtin prapa” dhe se Superfuqia nga Bavaria është tepër e fortë për sfidat brenda Gjermanisë. Nuk dihet se çfarë do të bëjë Dortmundi apo ndoshta edhe Lajpcigu, po sa për Shalken, kjo nuk mund të quhet rivale. Bajerni triumfoi 3-0 pikërisht në fushën e Shalkes, në stadiumin e Gelsenkirshenit ku 61 000 tifozët, si gjithnjë, vijnë me shpresë dhe zjarr, dhe dalin të dëshpëruar.

Duket e pamundur sesi një skuadër si kjo e Mynihut mund ta diskutojë titullin! Me lojtarë si Hames Rodrigez, Levandovski apo Vidal, Bajerni ia del edhe në mungesë të Manuel Nojerit, edhe pas largimit të kapitenit Filip Lahm dhe të “kapitenit të heshtur” Shabi Alonso. Nëse bën llogaritë, bavarezët kanë bërë vetëm një gabim në këtë sezon deri tani, duke hequr miqësoret e verës. Kanë katër fitore në Bundesligë dhe një në Champions, ndërsa pësuan vetëm një humbje, atë 0-2 në fushën e Hofenhajmit.

Sfidanti.al