Pritje jo të zakonshme, por për të, të zakonshme. Etrit Berisha kaloi një tjetër javë në nivelet më të larta në Serinë A dhe për portierin e kombëtares shqiptare erdhi vlerësimi. Adresa e specializuar, “Tutomerkatoueb” e vendos në formacionin e javës së kampionatit italian, aty ku numri 1 i përfaqësueses është në shoqëri me Paulo Dibalën apo Çiro Imobilen.
Ishin reflekset e tij që shpëtuan Atalantën në minutat e fundit ndaj Sasuolos, dhe i siguruan fitoren 2-1. Pavarësisht se luhej në Bergamo, skuadra mike fare mirë mund të barazonte, por Berisha nuk e lejoi. Një tjetër lojtar i kombëtares merr vlerësime shumë të larta në Kroaci. Karriera e Eros Grezdës po njeh maja të reja këtë sezon dhe kjo u konfirmua me golin ndaj Hajdukut në derbin e luajtur në Osijek.
Sulmuesi realizoi në minutën e tretë dhe të fundit shtesë për suksesin 2-1 dhe tani është heroi i tifozëve. Po ashtu, ai u shpall edhe lojtar i javës, pjesë e formacionit më të mirë. Këtë edicion, Grezda 22-vjeçar bëri debutimin në Europë, fitoi vendin e titullarit në kombëtare me trajnerin Panuçi, dhe po e ndihmon Osijekun të jetë në vendet e larta të Ligës së Parë Kroate, me qëllim që të mbetet në kupat kontinentale.
Sfidanti.al