Për t’u qarë nuk ka kohë, dhe për t’u fshehur nuk ka vend. Këtë u tha Zhoze Murinjo futbollistëve të tij, ndërsa disfata ndaj Çelsit ndiqet nga një tjetër sfidë prej ferri. Në mesjavë, Mançester Junajtid luan ndaj Mançester Sitit në Kupën e Ligës, dhe rreziku është i madh nëse “djajtë e kuq” nuk do të kenë reagim.
“Jemi shumë të mërzitur nga humbja, por u them lojtarëve se futbolli nuk është lojë fëmijësh, por është për burra, – tha Zhoze për televizionin e klubit, – nuk ka vend ku të fshihemi. Ne duhet të jemi burra dhe të fitojmë ndeshjen e radhës”. Junajtid u mund 0-4 në fushën e Çelsit në kampionat dhe mbeti 6 pikë prapa vendit të parë.
Murinjo, gjithsesi, mbetet me shpresë në Premier Ligë. “Kupat janë të rëndësishme, por kryesor për mua është kampionati, – tha ai, – ne jemi 6 pikë prapa, por tani do të kemi ndeshje pak më të lehtë, që duhet t’i fitojnë, ndërsa ekipet e vendeve të para do të ndeshen mes tyre dhe do të humbasin pikë”.
B. Kuka