U desh të priteshin 51 vite: Anglia e 20 vjeçarëve kthehet në ..djep!

Kurora, më në fund, mbërriti në “djepin e futbollit”, në Angli, pasi përfaqësuesja e “Albionit krenar” mundi 1-0 Venezuelën në ndeshjen finale të Mundialit për futbollistët deri në 20 vjeç. Futbollistët e rinj anglezë, në fakt, e fitojnë këtë kampionat për herë të parë, ndërkohë që Anglisë iu desh të priste 51 vite që të shpallej kampione bote, duke pasur parasysh të gjithë konkurrimet. Anglia ka dalë për herë të  fundit kampione bote në vitin e largët 1966 në kampionatin botëror të të rriturve që u zhvillua po në Angli.

Kalvert-Levin është heroi i “Albionit krenar”, pasi ai shënoi në portën venezuelase në min. e 35-të. Humbja që pësoi ekipi venezuelas në finalen historike, e mbushi me lot Adalberto Penarandën, futbollisti më i njohur në taborin venezuelas që luan me Malagën dhe që humbi penalltinë në min. e 74-t. Vendin e tretë e zuri Italia që mundi Uruguain me penallti.

Sfidanti.al