Saga vazhdon: Kutinjo nuk heq dorë, kërcënon Liverpulin!

Mediumet angleze shkruajnë se Filipe Kutnjo është mjaft i vendosur që të largohet nga Liverpuli dhe që të luajë me bluzën e Barcelonës. Ky futbollist brazilian u ka bërë të ditur “të kuqve” se ai nuk dëshiron që të luajë me ata në Ligën e Kmapioneve, megjithëse trajneri Jyrgen Klop e ka përfshirë atë në listën e lojtarëve që ai do t’i ketë në dispozicion në këtë Ligë.

Sikurse dihet, transferimi i Kutinjos te Barcelona dështoi, ndërsa sezoni veror i transferimeve u mbyll më 31 gusht, ndërkohë që klubi katalonjas u përpoq, gjatë të gjithë verës, që ta sillte sulmuesin brazilian në “Kamp Nou”, për të zëvendësuar Nejmarin që u largua për te PSZH-ja për 222 milionë euro. Barcelona i dërgoi Liverpulit disa oferta, e fundit prej tyre, sipas disa mediumeve, 200 milionë euro, por klubi i “të kuqve” kundërshtoi kategorikisht që ta shiste Kutinjon.

Por, ky futbollist brazilian është mjaft i vendosur që të ikë nga Liverpuli dhe të luajë me Barcelonën, ndërkohë që thuhet se ai i ka bërë të ditur kryesisë së Liverpulit se nuk do që të luajë me të në Ligën e Kampioneve, pavarësisht se është përfshirë në listën e lojtarëve të Jyrgen Klopit. Nëse do të luajë me “të kuqtë”, ai nuk do të ketë të drejtë që të luajë me Barcelonën në Ligën e Kampioneve.

Sfidanti.al