Presidenti i Barcelonës qetëson shpirtrat : Babai i Mesit e ka nënshkruar kontraten

Presidenti i Barcelonës, Hosep Maria Bartomeu, thotë se nënshkrimi i kontratës së re nga ana e Lionel Mesit është vetëm një formalitet, ndërsa në media janë publikuar spekulime se ky futbollist do që të largohet nga Barcelona, pasi ai ende nuk e ka nënshkruar këtë kontratë aq të dëshiruar nga klubi katalonjas. I pyetur nga gazetarët, nëse ai është i shqetësuar se Mesi akoma nuk e ka vënë firmën e tij në dokumentet përkatës, Bartomeu, u përgjigj, duke thënë:

“Jo, nuk jam i shqetësuar, sepse ai do ta vendosë firmën e tij. Ne e kemi marrë pëlqimin e tij që në qershor. Ne kemi tri marrëveshje: një për fondacionin, një për të drejtat e imazhit dhe një kontratë pune. Ajo për fondacionin është nënshkruar nga drejtuesit e tij, pra nga i ati dhe i vëllai i tij. Ajo për të drejtat e imazhit është nënshkruar nga një njeri që kryeson kompaninë që merret me të drejtat e imazhit të lojtarit. Kurse kontrata e punës është nënshkruar nga i ati i tij me miratimin e avokatëve. Mungon vetëm firma protokollare e Leos dhe fotografia e tij. I vetmi problem është përcaktimi i datës së vënies së firmës së Leos. Kështu që kontrata mund të konsiderohet e vlefshme nga 30 qershori i fundit. Nuk ka asnjë problem, bëhet fjalë vetëm për protokoll. Ne jemi të relaksuar”, tha presidenti i Barcelonës.

Sfidanti.al