Joakim Lëv si Sër Aleks Ferguson, Gjermania e tij e re gati për në Rusi!

Tetë fitore në 8 ndeshje, me 35 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar! Këto janë shifrat e Gjermanisë së re të Joakim Lëvit. Trajneri “teuton”, në mënyrë të ngjashme me Sër Aleks Fergusonin tek Mançester Junajtidi, po provon të ndërrojë një tjetër brez në kombëtaren kampione të botës. i ndihmuar nga puna e shkëlqyer me ekipet kombëtare të moshave, Lëv po kolaudon ekipin që do të luajë vitin e ardhshëm në Botërorin e Rusisë.

Në ndeshjen ndaj Norvegjisë, fituar 6-0 në stadiumin “Mercedes Benc Arena” në Shtutgart, një pjesë e madhe e futbollistëve ishte “fringo” e re. Timo Verner është 21 vjeç, Kimih 22, Rydiger 24, Hektor, Kros e Rudi nga 27, Draksler 24, zëvendësuesi Gorecka, 22 vjeç. Në stol ishin Ginteri 23-vjeçar, Henriks vetëm 20, Zyle 22, Brant 21, Xhan 23 apo Junes 24 vjeç. Vetëm të tillë si Gomez, Ozil, Kedira apo Humels ishin pranë të 30-ve apo diçka më shumë.

Thuajse si gjithnjë, Gjermania nuk ka superyje si Mesi apo Kristiano Ronaldo, as lojtarë që thyejnë rekordet e transferimit si Nejmar, Pogba apo Mbape, por ajo është një ekip i vërtetë. Kjo e bën sërish të rrezikshme në Rusi, aq më tepër me kthimin nga dëmtimi të lojtarëve si Nojer apo Boateng.

Sfidanti.al