Italia e quan eleminimin, “apokalips”, një nga “djajtë” edhe Shqipëria!

Katastrofa në Spanjë mund të kthehet në apokalips. Kështu tremben në Itali për fatin e kombëtares pas humbjes 0-3 në “Santiago Bernabeu”. Katër heë kampionët e rruzullit nuk e kanë të sigurt kualifikimin për në Kupën e Botës në Rusi, dhe rrezikohen nga Shqipëria, Izraeli dhe Maqedonia.

“La Gazeta delo Sport” shkruan në formë detyrimi: “Itali, tani duhet të tregosh veten. Me Izraelin duhet një përgjigje. Gjithsesi, puna e bërë nuk hidhet poshtë për një ndeshje, dhe eleminimi nga Botërori nuk duhet menduar”. Gazeta milaneze raporton edhe fjalët e presidentit të Federatës, Tavekio.

“E rinovoj besimin tek trajneri Ventura. Eleminimi do të ishte një apokalips”. Tavekio, që pak javë më parë ia rinovoi kontratën trajnerit të kombëtares deri në 2020, kërkon edhe ndihmën e FIFA-s, për ta shpëtuar Italinë në rast eleminimi, duke u bazuar tek historia e saj e madhe. Gjithsesi fqinjët tanë perëndimorë nuk ndihen mirë dhe një nga rivalët kryesorë për ta është pikërisht Shqipëria.

Kombëtarja e Panuçit, që është vendosur tashmë në Strumicë, aty ku do të luhet ndeshja ndaj Maqedonisë, duhet të luajë edhe me këtë synim. Një rezultat pozitiv do të krijonte shpresa reale për të tronditur Italinë.

Sfidanti.al