Të gjithë kishin kureshtje të shikonin dorën e Panuçit në ndeshjen debutuese, madje pretendohej edhe pak më shumë spektakël se zakonisht, meqë përballë do të kishim një ekip si Lihtenshtejni. Si dhe herë të tjera, kemi përjetuar një ndeshje pa shumë histori, ku momentet pikante mbeten vetëm minutat e golave, sidomos goli i dytë i Agollit , duke treguar se loja e tij nuk varet vetëm nga këmba e majtë. Nuk ka dyshim se për trajnerin e ri ka shumë rëndësi fakti që ndeshja e parë zyrtare u fitua, por kur kujton se më 5 shtator do të luajmë kundër Maqedonisë, pritej një shfaqje me më shumë logjikë., ku mesfushorët tanë Memushaj, Abrashi dhe Basha të flakanin maskën e letërgjisë vetëm pas pushimit.
Edhe pse De Biazi ishte “rezervë” në tribunë dhe lojën e komandonte një Italian tjetër në stol, futbollistët kuqezi nuk patën forcë dhe dëshirë shpirtërore t’i shpëtonin sëmundjes klasike, ku ndeshjen e fillojnë duke lëshuar hije në fushë dhe në të dytën heqin maskën për të treguar se ndeshjet fitohen edhe me episode të shkëputur. A mund t’i ulemi në gjunjë kësaj logjike kur kishim në fushë një ekip që i ka humbjet si ushqim? Apo kur kujton se portieri Berisha u shndërrua në një spektator nderi dhe nuk bëri pis as fanellën dhe as prishi rregullin e flokëve, kur do të donim që prova të ishte më e gjallë, më shumë e vërtetë në lojë edhe pse me dy gola, ngaqë me Maqedonasit kemi një llogari të hapur. Në ndeshjen e parë ata luajtën më mirë, ne shpuam portën me ndihmën e fatit…
Sfidanti.al