Në kohët e bukura të dikurshme, edhe sporti profesionist ishte ndryshe. Sidomos në Angli. Në popullin më me fat dhe më të shpenguar të botës moderne, ishte diçka e mrekullueshme të bëheshe kampion i madh dhe të silleshe në mënyrë të pazakonshme, kontroverse.
Ljuis Hamilton, kampioni i sotëm i Formula 1, është modeli më i afërt i atyre djemve me flokë të gjata, pantallona të shkurtër dhe bluza të çuditshme të viteve 60-të apo 70-të. Është ndoshta i vetmi njeri i sportit sot që të kujton batutat e ish-trajnerit të Anglisë, Bobi Robson (bëmë gati valixhet që të largoheshim, por pastaj kujtuam se kishim harruar pa fituar kupën e botës, ndaj u kthyem në hotel), apo sjelljen e lojtarëve të Liverpulit përpara finales së Kupës së Kampionëve kundër Juventusit (italianët u ngujuan në grumbullim në hotel, anglezët shkuan me pushime në Izrael).
Është një tjetër sportist i veçantë që ndoshta Hamilton po përpiqet t’i ngjajë, kampioni i botës në Formula 1 në 1976, Xhejms Hant. Edhe ai anglez, njeriu i shpejtësisë dhe i skandaleve, që donte të tregonte se mund të ishe i suksesshëm edhe duke shkelur “ligjet e fizikës”.
Hant pinte, ndërronte të dashurat shpesh, grindej, lëshonte batuta dhe sfidonte këdo, ishte një epikurian i vërtetë, i dhënë pas qejfeve të jetës, ndaj titulli i tij botëror në 1976 ndaj Niki Laudës do të mbahet mend përjetë. Nuk ishte një “murg” si Mikael Shumaher.
Hamilton po ashtu i ndërron të dashurat, më herët me Nikolë Sherzingerin, pastaj është parë me Rita Orën dhe tani me Lindsi Vonin. Ai nuk e ka problem të zihet me shokun e skuadrës, me vetë drejtuesit e skuadrës, të përçmojë gazetarët në konferencë, pra të mos jetë aspak “politically correct”. Jeta e natës nuk e ka penguar talentin e tij që të bëhet 3 herë kampion i botës dhe ai shpreson të triumfojë për herë të katërt.
Ljuis është vërtet një specie e rrallë, nga ato që janë në zhdukje. Siç thotë i biri i Xhejms Hantit, Fredi, “sot nuk është e mundur të jesh si babai im, atë e vrau jeta që bënte, që kur ishte 45 vjeç, ndërsa unë dua të mbush të paktën 50”.
B. Kuka