“Championsi” i trajnerëve në Nion, buzëqeshje, por dhe kurthe për rivalët!

Një fotografi vërtet madhështore, që dëshiron ta shikojë çdo president klubi në botë. Në Nion të Zvicrës, UEFA ka mbledhur “ajkën” e trajnerëve të futbollit, në një pikëpjekje profesionale. Zinedin Zidan (Real), Zhoze Murinjo (Man. Junajtid), Ernesto Valverde (Barcelona), Masimiliano Alegri (Juventus), Leonardo Zhardim (Monako), Rafa Benitez (Njukasëll) ishin në këtë takim të 19-të (janë në foto), por kishte edhe të tjerë si Unai Emeri (Paris SG), Mauricio Sarri (Napoli), Rui Vitoria (Benfika) apo Serzhio Konseisao (Porto), pa harruar legjendën Sër Aleks Ferguson dhe hijerëndin Luis Van Gal.

Pati shumë buzëqeshje, në prani të presidentit të UEFA-s, Çeferin, të zyrtarëve të tjerë të lartë, të ish-yllit të arbitrimit Kolina apo të ish-yjeve të fushës si Zaneti, Ksavi, Shmajkel, Shabi Alonso, Zedorf apo Deko.

Asnjë nga trajnerët nuk besohet se foli sinqerisht për planet që ka ende për blerjet, ndërsa sot është dita e fundit e transferimeve, ndërsa shumë prej tyre janë në garë me njëri-tjetrin. Padyshim, forumi i Nionit është për të rritur nivelin e trajningut, por është edhe një lloj “lufte e ftohtë”, disi me hipokrizi, përderisa interest e kundërta fare lehtë mund t’i bëjnë armiq. Murinjo, madje, ka qenë në polemika me ndonjë prej trajnerëve, si p.sh., me Van Galin apo me Benitezin, pavarësisht buzëqeshjes dhe shtrëngimit të duarve në UEFA.

Sfidanti.al