Futbolli nuk të fal as edhe kur dëmtohesh, Shkodran Mustafi pranë Serisë A

Ishte një nga shtyllat e Arsenalit, një mbrojtës i fortë dhe i sigurt. Jo më kot Shkodran Mustafi luan për Gjermaninë, me të cilën doli edhe kampion i botës, por ja që kohët ndryshuan. Pas gjysmës së parë të sezonit, vërtet në nivel shumë të lartë, mbrojtësi shqiptaro-gjerman sikur nuk ishte më vetvetja dhe Arsen Venger po mendon se mund të bëjë pa të. Për fat, dy gjigandë të Serisë A “kanë zënë merak” me Mustafin, Interi sidomos, por edhe Juventusi, ndaj edhe Venger nuk duhet të shqetësohet shumë.

Dëmtimet, sipas mediave britanike, luajtën rolin kryesor në rënien e formës së Shkodranit, por duket se trajneri i Arsenalit nuk beson se ai do të mund të kthehet siç ishte. Mustafi u mor vjet për 35 milionë stërlina, dhe Venger është gati të pranojë po 35 milionë stërlina për ta lënë të lirë. Ndryshon pak puna me Aleks Okslejd-Çembërlenin, të cilin londinezët duan ta mbajnë, por nuk dëshiron ai të qendrojë. Çelsi e kërkon fort dhe Venger mund të pranojë një ofertë sepse vitin tjetër lojtari i krahut do të jetë pa kontratë.

Sfidanti.al