“Dritë jeshile” për Barçën, por Dembele do kushtojë “qimet e kokës”

Pista “Kutinjo” duket se mund të bjerë poshtë. Barcelona me shumë gjasa do të detyrohet të kënaqet “vetëm” me Usman Dembelenë, edhe pse sulmuesi i ri i Francës, do t’i kushtojë “qimet e kokës”. Mediat raportojnë se drejtuesit katalanas e kanë pasur takimin e pritur me ata të Dortmundit, dhe se marrëveshja është ajo e transferimit të 20-vjeçarit në “Kamp Nou” kundrejt një shifte totale prej 150 milionë eurosh.

Një çmenduri e radhës, së bashku me atë të Kilian Mbapesë që mund të shkojë tek Paris SG, që nga Monako për 180 milionë euro. Të paktën, Nejmar që kushtoi 222 milionë, është 25 vjeç, pra një burrë, nërsa Dembele dhe Mbape janë ende “buzëqumësht”. Barcelona pritet të paguajë 105 milionë euro për kartonin fillimisht, dhe pastaj edhe 45 të tjera në formë shpërblimesh, në bazë të sukseseve të lojtarit dhe të skuadrës katalanase. Rezistenca katalanase dhe “kryengritja” e lojtarit bënë që Dortmundi të mos rezistonte, po ashtu si Monako ndaj Mbapesë. Duket se vetëm Liverpuli po tregohet “burrë” ndaj katalanasve dhe Kutinjos.

Me afrimin edhe të mesfushorit Seri nga Nisa, besohet se ekipi i trajnerit Ernesto Valverde mund të quhet mjaftueshëm i përforcuar, edhe pse nuk po lihet pas pista për Angel Di Marinë, për të pasur më shumë alternativa dhe klas në lojën nga krahët.

Sfidanti.al