Raiola i di të gjithë si vetja, Mesi për të duhet të largohet!

Natyrisht, nuk është shumë e vështirë të ikësh nga diku. Yjet e futbollist profesionist, përderisa janë ndar për së gjalli nga prindër e familje, përderisa kanë ikur nga dashuria e parë, ekipi i qytetit dhe tifozët më të zjarrtë të tyre, mund të bëjnë gjithçka, megjithatë, në këtë “gjellë” globale të nxehtë, pikante dhe të ndryshueshme çdo ditë e më shumë, besnikëria, ajo gjë e rrallë, mbetet si kripa. Jep shije dhe kujton se dikur më parë ka pasur vlera të tjera, apo dikur më vonë, mund të rikthehen këto vlera.

Një vlerë e tillë, si ajo e Totit tek Roma, mund të jetë edhe besnikëria e përjetshme e Lionel Mesit për Barcelonën. E vënë në provë të vështirë së fundmi nga sherret në “familje”, por edhe nga sirenat si ato që donin të gabonin Odiseun e Homerit. Mimo Raiola, një nga globalistët më të mëdhenj, 100 për qind thelb tjetër nga Toti, Robsoni apo Maldini, është një “sirenë” moderne që i këndon “në vesh”, Mesit këngën e “tradhëtisë së ëmbël”, atë të largimit nga “Kamp Nou”. Motivi i këngës së tij është “Mesi ka nevojë për eksperienca të reja”, një arsye që mund të peshohet, por ata që e duan futbollin shpresojnë që Leo të mbyllë veshët, apo të lidhë veten siç bëri Odiseu me vetveten dhe marinarët e tij, duke i shpëtuar magjisë fatale të sirenave.

Sfidanti.al