Kosta sheh futboll lagjesh në Brazil, vë skedinë për duelin Abramoviç-Konte!

Në skedinën e tij rezultati duhet të jetë padyshim “1”, pra fitore e të zotit të shtëpisë, dhe tek Çelsi, zot shtëpie është vetëm Roman Abramoviç. Në duelin e radhës, miliarderi rus është vënë përballë Antonio Kontes, trajnerit të tij, dhe po mendon nëse duhet ta shkarkojë apo jo. Ky duel po ndiqet me shumë interes nga Brazili, nga një njeri që përfiton ose humb shumë prej tij. Ky njeri është Diego Kosta, i përjashtuari nga skuadra prej Kontes, i cili me sy ndjek futbollin vendor në shtetin e tij të lindjes dhe me veshë dhe mendje është i gjithi në Londër.

Kosta ishte në një stadium me ulëse blu (jo “Stemford Brixhi”) dhe ndoqi një ndeshje të një kategorie të ulët, duke qenë i ftuari i nderit në përballjen Konfianka-CSA në kryeqytetin Arakahu të shtetit Lagarto, aty edhe ka lindur. Sulmuesi shpreson që Abramoviç ta shkarkojë Konten dhe të marrë në stol Tomas Tuhelin, i cili besohet se do ta kthejë në ekip. Në një farë mënyre, Romani e ka nisur “ruletën ruse”, por me një ndryshim që Romani e di se në cilën fole ndodhet fisheku, ndaj po shtie “bosh” në tëmthin e trajnerit.

Sfidanti.al