Shkëlqimi i tij vazhdon, po ashtu edhe buja e largimit nga Barcelona. Nejmar shënoi dy herë të tjera me fanelën e Paris SG, në një fillim meteorik të ligës franceze, ku skuadra kryeqytetase ka realizuar 9 gola, nga të cilët 3 të brazilianit. Suksesi i radhës, 6-2 ndaj Tuluzës, u pasua nga një intervistë e shkurtër direkt pas ndeshjes, e para e yllit në “Park dë Prensis”, ku ai u pyet për arsyet e largimit të tij prej Barcelonës, dhe për marrëdhëniet që kishte me drejtuesit në “Kamp Nou”.
“Nuk kam çfarë t’i them drejtuesve të Barcelonës, – tha ai, – Mirë, në të vërtetë duhet t’u them diçka. Unë jam i zhgënjyer prej tyre. Kalova 4 vjet në klub dhe isha shumë i lumtur. Në fillim isha shumë i lumtur, vazhdova të isha i lumtur dhe u largova i lumtur. Por, nuk isha i lumtur me ta. Për mendimin tim, ata nuk duhet të jenë në krye të Barcelonës. Klubi meriton shumë më tepër dhe gjithkush e di këtë”.
Nejmar i dha klubit katalanas 222 milionë euro, por ikja e tij me polemika e prishi edhe më shumë qetësinë në Barcelonë. Në një kohë që Paris SG dhe braziliani po kënaqen dhe po shfaqen në formën më të mirë, sezoni për Mesin dhe shokët e tij nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Madje, besohet se pas ikjes së Nejmarit, ekziston frika që nga “Kamp Nou” të largohet edhe ylli argjentinas, për të cilin flitet se Mançester Siti dhe Guardiola kanë bërë gati 300 milionë euro.
Sfidanti.al