Çdo herë është pritur shumë prej tyre, por prej vitesh kanë zhgënjyer. Interi dhe Milani janë dy fuqi të mëdha të futbollit italian dhe atij europian, dhe ndoshta këtë sezon mund të jenë ashtu siç duhet. Anti-Juventus, pra rivalë të skuadrës që po dominon Serinë A prej gjashtë vitesh. Ndryshimet në pronësi, me ardhjen e investuesve nga Kina, dhe blerjet e shumta, ndoshta do të sjellin ndryshimin.
Interi, sidomos, bëri shumë përshtypje ndaj Fiorentinës. Pati përballë një ekip të fortë, ndër klasikët e “il kalços”, por e mposhti pa probleme 3-0 me golat e Ikardit, dhe të Perishiçit. Kapiteni Ikardi, autor i dy rrjetave, u shfaq udhëheqës i vërtetë, dhe rrezik konstant përpara portës kundërshtare. Në moshën 25-vjeçare ka arritur pjekurinë e duhur për të qenë ndër sulmuesit më të mëdhenj të botës. Perishiç po ashtu duket më komandues në mesfushë, ashtu si spanjolli Borha Valero. Në mbrojtje, blerja e re Skriniar, ashtu si Miranda japin garanci.
Më pak e bujshme fitorja e Milanit, por po aq e thellë. Në Krotone u kalua me shifrat 3-0, dhe me rrjetat e realizuara për 23 minuta nga Kesi, Kutrone dhe Suso. Trajneri Montela u shpreh shumë i kënaqur, duke vlerësuar sidomos Kesin, por edhe blerjen tjetër të re, Kutrone. E vetmja vërejtje e tij ishte për sjelljen e ekipit pas avantazhit, por kjo ishte deri diku e pritshme me epërsinë 3-0, dhe kur skuadra është vetëm në fillimet e përgatitjes së saj.
Sfidanti.al