Një barazim, jo një fitore. Në minutën e fundit erdhi një ndëshkim, si një film që e shohim thuajse gjithnjë, por kurrë nuk mësohemi me të.
As tifozët që gjithnjë hidhërohen, dhe as futbollistët në fushë që nuk arrijnë ta shmangin.
Gjithsesi, pavarësisht shijes së hidhur të largimit të suksesit në sekondat përmbyllëse, krenaria duhet të jetë e plotë për Skënderbeun.
Skuadra më e mirë shqiptare e 7 viteve të fundit bëri atë që nuk e kishte menduar askush, as vetë kroatët, as tifozët dhe mediat e tyre, dhe as kompanitë e basteve që i jepnin vetëm kuotën 1.2 fitores së Dinamos së Zagrebit në stadiumin e saj, “Maksimir”, dhe kuotën 17 suksesit të korçarëve.
Jo se u arrit kualifikimi, ai është ende të paktën 90 minuta larg, por Skënderbeu i Ilir Dajës është një skuadër e vërtetë europiane.
E aftë të shënojë në një impiant ku dy vjet më parë u mund 1-4, të bëjë presion për periudha të gjata kohe ndaj një kundërshtari potencialisht nja 10 herë më të fortë, dhe të realizojë zëvendësime që mund t’i bëjë një trajner i mësuar me nivelet më të larta ndërkombëtare.
Natyrisht, në pjesën e dytë, për shumë minuta, ish-kampionët e Shqipërisë u detyruan të vuanin, me kroatët që depërtuan shpesh në krahun e djathtë të sulmit të tyre, dhe hodhën shumë topa në zonë.
Gjithsesi, nuk pati panik, dhe mbrojtësit ndihmuan gjithmonë njëri-tjetrin, duke shmangur thuajse çdo rrezik.
Ndonjëherë falë edhe portierit Orges Shehi, herë edhe falë ndihmës së fatit.
Me lojtarë shumë të mirë si Shehi, Radash, Jashanica, Osmani, Gavazaj, Lilaj, Soue, por sidomos Latifi, ky ekip ka shanset e tij reale për t’u kualifikuar për në fazën e grupeve.
Mund t’ia dalë duke eleminuar një superfuqi ballkanase, si Dinamo e Zagrebit, dhe duke realizuar atë që shumëkush e dëshiron, por që ndoshta askush nuk e quante të mundshme deri përpara kësaj ndeshjeje të luajtur në kryeqytetin e Kroacisë.