Se sa vuan Argjentina kur nuk luan Leo Mesi, për këtë janë bindur të gjithë. Edhe ata që mendonin se “djaloshi i artë” luan pa magji kur vesh fanelën e përfaqësueses. Ka munguar 3 ndeshjet e fundit të ekipit të tij nacional dhe Argjentina ka vuajtur shumë për të bërë lojën karakteristike, e jo më të fitonte ndeshjet. Pyetja për të shmangur lumin e kritikave.. ishte: kur do të shërohet Mesi? Ajo që ndodhi ishte sureale. Pas 3- javësh dëmtim, ylli i Barçës, sapo u rishfaq në fushë…nuk vuri dorën në zemër as për ish-trajnerin Guardiola. Një leskion klasi me pak prekje topi dhe 3 gola. Ishte rasti më tipik, kur një pacient shndërrohej në një ‘batman”.
Trajneri Bauza i Argjentinës mund të ketë gëzuar si fëmijë kur ka parë Leon që kthehej me një pushtet të atillë në fushë. Në ndeshjen kundër Brazilit, ku Nejmar me shokë kanë marrë udhër të ndalojnë, bile ta mundin armatën albiceleste, që do të luhet më 10 nëntor në Bela Horizonte, Leo ka shumë arsye për të ndryshuar rrjedhën e gjërave. Le të shkojnë në thesin e harresës ndeshjet zhgënjyese me Venezuelen dhe Perunë, apo ndeshja e turpit, ajo me Paraguajin që u dorëzua në fushën e tyre. Por, a ka shanse Argjentina? Finalistët e Kupës së fundit të Botës, kanë shkuar në vendin e pestë në truneun amerikanojugor dhe ky fakt perjetohet me frikë.