Lamine Yamal hyn në territorin e Messit, Ronaldos, Neymarit, Mbappés dhe Haalandit

Lamine Yamal po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm dhe, në moshën vetëm 19-vjeçare, ka hyrë në një territor ku më parë kanë shkëlqyer emra si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar, Kylian Mbappé dhe Erling Haaland. Sulmuesi i Barcelonës ka regjistruar 12 gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje të luajtura këtë sezon me klubin dhe kombëtaren e Spanjës. Shifrat e tij, por edhe mënyra se si po paraqitet në fushë, e kanë kthyer në një nga kandidatët kryesorë për të fituar “Topin e Artë”, edhe pse çmimi i 26 tetorit do të bazohet te sezoni i kaluar.

Krahasimi me Lionel Messin është thuajse i pashmangshëm. Në sezonin 2006/07, kur ishte 19 vjeç, argjentinasi shënoi 17 gola për Barcelonën. Yamal e ka kaluar tashmë këtë shifër në një moshë të njëjtë, ndërsa të dy kanë shumë ngjashmëri: janë të majtë, luajnë nga krahu i djathtë dhe kanë vendosur rekorde të shumta në moshë të re.

Edhe Cristiano Ronaldo nuk kishte arritur të njëjtat shifra në këtë moshë. Në sezonin e tij të dytë me Manchester United, portugezi shënoi nëntë gola dhe dha po aq asistime në 50 ndeshje. Neymar, ndërkohë, ishte fenomenal me Santosin. Në moshën 18-vjeçare shënoi 40 gola në vitin 2010, ndërsa një sezon më vonë, në moshën 19-vjeçare, realizoi 24 gola dhe fitoi Kupën Libertadores.

Sa u përket Kylian Mbappés dhe Erling Haalandit, të dy ishin po ashtu jashtëzakonisht produktivë në këtë moshë. Francezi shënoi 26 gola me Monacon në sezonin 2016/17, ndërsa norvegjezi realizoi plot 44 gola në 40 ndeshje për Salzburgun dhe Borussia Dortmundin në sezonin 2019/20.

Këto statistika tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të shpërthimit të Yamalit. Pas vendit të dytë në votimin e “Topit të Artë” vitin e kaluar, ylli i Barcelonës synon tashmë të bëjë hapin e fundit dhe të fitojë trofeun më prestigjioz individual në futboll.