Një tjetër atlet i madh, përveç Usain Boltit, dështoi në garën e tij përfundimtare. Mo Farah i Britanisë së Madhe nuk e fitoi dot medaljen e artë në 5000 metra për meshkuj. Veterani 34-vjeçar u la pas nga etiopiani Mukta Edris, ish-kampion i botës për të rinj, që triumfoi me kohën 13’32”79. Farah mbeti gati gjysmë sekondi prapa, me amerikanin Çelimo që plotësoi podiumin. Britaniku me origjinë nga Somalia e mbylli karrierën me 6 medalje ari botërore, 4 olimpike dhe 19 të arta gjithsej.
Në kampionatin botëror, ekipi më i mirë është ai amerikan. Shtetet e Bashkuara fituan edhe stafetën 4×100 metra për femra, duke dhënë kohën më të mirë të vitit, 41”82. Vendasit britanikë patën krenarinë të ishin të dytët, ndërsa Xhamajka doli e treta duke ndjerë mungesën e sprintieres më të mirë, Elein Tompson.
Gjermania pati heroin e saj tek hedhësi i shtizës, Johanes Feter. Më i miri i kësaj discipline vitet e fundit, doli kampion botëror me 88 metra e 89 centimetra, duke fituar një garë të vështirë me çekët Vadlejh dhe Fridrih. Në dhjetëgarësh po për meshkuj, gjermanët u lanë prapa nga një francez. Kevin Majer triumfoi me 8768 pikë, rezultati më i mirë i vitit. Gjermanët Frajmuth e Kazmirek fituan argjendin dhe bronzing.
Në program edhe dy konkurrime për vajzat. Veterania nga Australia, Salli Person, i shtoi një tjetër medalje ari karrierës së saj të famshme. Tridhjetëvjeçarja fitoi titullin botëror në 100 metrave me pengesa, 6 vjet pasi ia doli për herë të parë në Kore të Jugut. Ajo dha kohën 12”59, larg rezultateve më të mirë, por e mjaftueshme për të triumfuar. Në vend të dytë veterania tjetër, amerikania Doun Harper-Nelson, ndërsa më e mira e vitit, amerikania Kendra Herrison, doli vetëm e katërta.
Rusia, e përjashtuar nga ky Botëror për shkak të skandalit të dopingut, nuk doli pa gjë. Maria Lasickene garoi me leje speciale, dhe fitoi kërcimin së larti me 2 metra e 3 centimetra.
Sfidanti.al