Maksimumi që në nisje. Nuk mund të kishte ndeshje më të mirë për të nisur kampionatin për mijëra tifozët në stadiumin e Tetovës. Po ashtu, nuk mund të kishte festë më të madhe sesa fitorja ndaj Vardarit, kampion të Maqedonisë, jo vetëm me rezultat, por sidomos me lojë.
Shkëndija europiane, që synon të hyjë në fazën e grupeve, më në fund e transferoi edhe në ligën vendase, spektaklin e saj të rrallë. Skuadra e shqiptarëve pati epërsi të madhe, që nga fillimi e deri në fund, duke dhënë një shfaqje të vërtetë, me çdo lloj tentative për gol. Kaq i lartë ishte niveli i lojës së Shkëndisë, saqë Vardari u duk si ndonjë ekip i rëndomtë i ligës, jo si kampioni në fuqi, dhe pati fare pak mundësi për të rrezikuar.
Besart Ibraimi, Armend Alimi, Stenio Zhunior apo kapiteni Ferat Hasani ishin të papërmbajtshëm, ndërsa trajneri Qatim Osmani, së bashku me ndihmësit, është e qartë se kanë bërë një përgatitje të shkëlqyer. i vetmi problem i Shkëndisë ishte tradita jo edhe aq pozitive ndaj ekipit të Shkupit, traditë që sikur e pengoi ta arrinte më shpejt dhe më thellë fitoren. Gjithsesi, as e shkuara dhe as portieri mik nuk mund të mohonin tetovarët që shënuan golat me lojtarët më të mirë.
Fillimisht Armend Alimi dhe pastaj Stenio Zhunior sigluan shifrat 2-0, me pronarin Lazim Destani dhe presidentin Visar Bexheti, shumë të kënaqur me atë që panë. A do të mjaftojë kjo Shkëndi për të thyer mallkimin dhe për të fituar titullin e dytë në histori, të parin që nga 2011-ta? Besimi është i madh që pas dy vendeve të dyta radhazi dhe pas Kupës së Maqedonisë zotëruar në 2016, formacioni nga Tetova të bëhet numri 1 në shtetin multietnik.
Sfidanti.al