Dy ngjarje tërheqin vëmendjen në futbollin shqiptar këto kohë. Së pari, që Partizani ka vendosur të ndërtojë një klub europian duke afruar një personalitet të madh (edhe pse të njollosur) si Luçiano Moxhi. Së dyti, që Tirana arriti më në fund të përfitonte një shumë të konsiderueshme parash nga transferimi i një lojtari, siç është Merveil.
Në rastin e parë, presidenti Demi ka vendosur një bast me veten dhe njerëzit që ka pranë se është në gjendje të krijojë diçka më moderne sesa Skënderbeu i Korçës, klubi më i suksesshëm i futbollit në vend këta vjet, ndërsa në të dytin, presidenti Halili sikur dëshiron të thotë se edhe ai di të bëjë biznes me këtë sport.
Basti i parë do të vihet në provë nga rezultatet e Mark Iulianos, trajnerit italian (ish-lojtar i Juventusit). A do të mundet Demi të përballojë presionin e tifozëve, mediave dhe të njerëzve pranë klubit nëse rezultatet nuk vijnë menjëherë? Kjo pritet të shihet, por mund të ndodhë që as vetë “shenjtëria e tij” (jo e shenjtë) Moxhi të mos mjaftojë për të shpëtuar Iulianon. Presidentët (edhe) në Shqipëri janë të tipit “topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vetë”.
Po Merveil me 400 000 eurot që (thuhet) se i ka sjellë arkës së Tiranës, a do të mjaftojë që klubi bardheblu të mëkëmbet? Po, nëse kjo kthehet në modë, dhe nëse financat menaxhohen mirë. Veçse, të mos harrojmë, se në botë ka raste të njerëzve të fitojnë shumë para, por që i lenë me “grushta” nga që nuk dinë t’i mbajnë.
Sfidanti.al