Humbja në basketboll me Holandën, apo pema që ujitet nga gjethet!

Nuk po luajmë me më të fortët, por ende po dështojmë. Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshkuj pësoi humbjen e dytë, në dy ndeshje të paraeleminatoreve të Kupës së Botës, diçka kjo e paralajmëruar. Në Arenën e Amsterdamit, të besuarit e trajnerit Kostandinidhis jo se nuk u përpoqën, por nuk ia dolën dot, dhe pësuan një humbje, le ta quajmë “dinjitoze”, me shifrat 77-91.

Kur duhen edhe dy ndeshje, një ndaj Austrisë dhe një ndaj Holandës, kombëtarja është pranë dështimit, pra mund të mos kalojë dot as në eleminatoret e zakonshme. Në paraeleminatore janë 13 ekipe, ndërsa në eleminatore do të jenë 32. Kjo tregon sesa shumë jemi larguar nga “sofra” e madhe e basketbollit të kontinentit, aty ku kemi qenë gjatë gjithë periudhës së “monizmit”, të paktën që nga vitet 50-të e deri në 1990.

Shqipëria, gjithsesi, ishte e fortë deri në gjysmën e përballjes, duke kryesuar me dy pikë, por e dëmtoi mungesa e kontributit nga stoli. Vetëm pesë lojtarët e formacionit shënuan, ku më i miri ishte Gerti Shima me 23 pikë, 5 topa në tabela, 4 asistë, 2 bllokime në gjuajtje dhe 1 vjedhje topi kundërshtarëve. U dalluan edhe Franko Bushati me 21 pikë, Endrit Hysenagolli me 15 dhe amerikanio i natyralizuar shqiptar, Mozer, që shënoi po ashtu 15 pikë.

Kombëtarja shqiptare ndodhet aktualisht në vendin e 92-të në renditjen botërore, ndaj vendit të 81-të që mban Holanda, por me Austrinë që është e 94-ta, por që sërish na mundi, madje brenda në Tiranë,  51-79. Ndeshja e radhës është pikërisht në fushën e Austrisë në 12 gusht.

Dikur, në vitet 60-të, Kina solli në Shqipëri, specialistë të ndryshëm në basketboll, volejboll, qitje, peshëngritje apo sporte të tjerë, duke kualifikuar trajnerët tanë dhe duke stërvitur sportistët në klube dhe në ekipet kombëtare. Ata futën një kulturë të re dhe krijuan një shkollë të sportit shqiptar, e cila dha frytet në volejboll, basketboll, qitje, atletikë apo peshëngritje. Sot, pavarësisht nga aftësia e trajnerit të kombëtares, Kostandinidhis, shpresa është e vdekur. Në një pemë nuk mund të kujdesesh për gjethet dhe lulet, nëse nuk kujdesesh për rrënjët.

Sfidanti.al