“San Siro” mund të quhet një stadium i mallkuar për Juventusin këtë sezon, ndërsa Milani nuk mund të mos quhet pretendent për titull. Skuadra e madhe, në versionin e “Davidit kundër Goliadhit” bëri mrekullinë e radhës duke thyer kampionët dhe duke konfirmuar veten. Vendosi goli i “xhevahirit të vogël”, Lokatelit, në minutën e 65-të dhe tani skuadra e trajnerit Montela ka 19 pikë, vetëm 2 më pak sesa ajo e Alegrit.
Përballë një kundërshtari me vlerë 4 herë më të madhe, Milani nuk mund të ishte superior, por gjithsesi nuk u dorëzua dhe zhvilloi ndeshjen më inteligjente të mundshme. Kampionët e nisën më mirë dhe krijuan raste, madje edhe shënuan me anë të Miralem Pjaniçit, por rrjeta u anulua për pozicion jashtë loje të Bonuçit. Pamjet e përsëritura treguan se gjyqtari kishte gabuar.
Në pjesën e dytë, Milani u tregua më agresiv, edhe pse Higuain, Hernanes, Kuadrado e Kedira gjithashtu rrezikuan. Goli i Lokatelit, me asist të Susos, ishte një “rrufe” e vërtetë, shtyllë dhe gol, dhe me këtë sukses “bebet” e Montelës mund të marrin zemër. Nuk është pak që në krahun e fitimtarëve janë Donaruma, Paleta, Romanjoli, De Shilio, Bonaventura, Lokateli, Suso e Lapadula, ndërsa në atë të humbësve janë emra të tillë si Bufon, Bonuçi, Barxali, Benatia, Dani Alvesh, Kedira, Pjaniç, Higuain, Dibala, Markizio, Evra apo Manxhukiç.
Trajneri i kampionëve, Alegri, duhet të shqetësohet edhe për gjendjen fizike të Dibalës, pasi argjentinasi pësoi dëmtim muskulor pas një gjuajtjeje, duke kërkuar ndërrim, dhe duke dalë nga fusha që në pjesën e parë.
B. Kuka