Nuk pësoi dëmtimin katastrofal që do ta linte deri 6 muaj jashtë futbollit, por gjithsesi, lëndimi në Valencia ishte i rëndë. Andres Iniesta do t’i mungojë Barcelonës për 6 deri në 8 javë, pasi kapiteni katalanas bëri vizitat urgjente mjekësore pas ndërhyrjes së ashpër ndaj tij në stadiumin “Mestaja”. Kjo do të thotë se numri 8 nuk do të luajë në disa ndeshje në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve, si dhe nuk mund të llogaritet për kombëtaren e Spanjës në ndeshjen eleminatore të Botërorit në 12 nëntor. Ekziston një mundësi shumë e vogël që ai të luajë në “El Klasikon” ndaj Realit, por gjithsesi duket shumë e vështirë që t’ia dalë.
Iniesta u dëmtua në gjurin e këmbës së djathtë pas ndërhyrjes së ashpër të lojtarit të Valencias, Enzo Perez, në të njëjtin vend ku u lëndua edhe në ndeshjen e Superkupës së Spanjës ndaj Seviljes, në stadiumin “Sançez Pizhuan”. Kjo ishte “dhimbja e kokës” e radhës për trajnerin Luis Enrike që ka të dëmtuar edhe Gerard Pikenë dhe Zhordi Albën, ndërsa për disa javë i mungoi edhe Lionel Mesi.
B. Kuka