Bajerni dhe Liverpuli ishin dy skuadrat e mëdha që fituan në mbrëmje vonë në ligat kryesore europiane. Kampionia e Gjermanisë kaloi 2-0 Mynshengladbahun në Mynih, ndërsa Liverpuli theu Uest Bromin në “Anfild”. Bavarezët zgjidhën gjithçka shumë shpejt, me golat e Arturo Vidalit e Dagllas Kostës për gjysmë ore lojë, ndërsa më pas dominuan pa rrezikuar aspak.
Trajneri Karlo Ançeloti u shpreh i lumtur me “cilësinë, intensitetin e lojës dhe mënyrën sesi lojtarët u sollën në fushën e lojës”. “Sidomos në pjesën e parë ne luajtëm shumë mirë, – tha italiani, – ishin 45 minutat tona më të mira të sezonit deri tani. Në pjesën e dytë, kundërshtari luajti mirë dhe na rrezikoi, por ne u mbrojtëm fort dhe kontrolluam ndeshjen”. Bajerni ka 20 pikë, ndaj 17 të Hertës së vendit të dytë.
Liverpuli arriti fitore po aq bindëse, ndonëse në fund nuk doli e lehtë. Uest Bromi u mund 2-1 në “Anfilld” pas golave të Manesë dhe Kutinjos, por Mekouli godfiti në fund për miqtë. Liverpuli ka 9 ndeshje pa humbje në të gjitha kompeticionet, dhe është i rrezikshëm për rivalët pasi nuk merr pjesë në kupat e Europës. Për më tepër, kryesimi në krah të Arsenalit (në pritje të ndeshjes së Mançester Sitit), vjen me një kalendar të vështirë, pasi në 9 takime të Premier Ligës, pesë i ka pasur ndaj rivalëve si Arsenali, Totenhemi, Çelsi, Mançester Junajtid dhe kampionia Leiçester.
“Jam i lumtur me lojën e skuadrës sime, – tha trajneri i të kuqve, Jurgen Klop, – nuk është e lehtë të luash ndaj Uest Bromit, që zhvillon lojë ajrore dhe që është i rrezikshëm në goditje standarde”. Klop e quajti nivelin e futbollit të Liverpulit si “të pabesueshëm”, ndonëse ekipi i tij u rrezikua të barazohej në fund. Gjithsesi, trajneri gjerman mund të jetë krenar pasi të besuarit e tij kanë shënuar më shumë gola (20) sesa çdo formacion tjetër i kampionatit.
B. Kuka