Skënderbeu sërish kundër Dinamos së Zagrebit, Europa e vjeshtës duket larg!

Nuk do të ekzekutohet himni i Championsit, por do të jetë sërish solemne. Skënderbeu është për të tretën herë përballë historisë, në plej ofin e kupave kontinentale, dhe përballë i doli një rival i njohur, Dinamo e Zagrebit. Skuadra e shquar shqiptare kundër superfuqisë së Kroacisë, me të njëjtin synim, fazën e grupeve të Ligës së Europës. Ky ishte verdikti i shortit të hedhur në Nion të Zvicrës, dhe ku u duk qartë se diferenca e korçarëve me më të fortët është ende e madhe.

Dinamo, që duket e pakalueshme për ne, ndodhej në vendet e fundit të grupit të skuadrave të favorizuara. Dy sezone më parë, kroatët triumfuan dy herë, së pari 2-1 në “Elbasan Arena”, dhe pastaj 4-1 në “Maksimir” të Zagrebit. Këtë herë luhet më parë në Kroaci, dhe pastaj në Shqipëri.

Pavarësisht nga vështirësia, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, u tregua optimist,. Takaj spjegoi se përse ka besim këtë radhë, ndërsa ekipi i tij u mposht thellë dy vjet të shkuara, dhe aspekti kryesor ishte përvoja më e madhe e skuadrës në krahasim me të shkuarën. Po ashtu, ai premtoi se do të ketë përforcime, dhe se futbollistëve do t’u jepet një shpërblim i madh në rast kualifikimi, ndonëse shifrën nuk e tha.

Takaj, fillimisht, shprehu dëshirën që shorti t’i vendoste përballë Milanin, por këtë fat e patën shqiptarët e tjerë, ata të Maqedonisë. Do të jetë Shkëndija e Tetovës rivale e skuadrës më të madhe të kompeticionit këtë sezon, me shtatë herë kampionët që pritet të zbresin në stadiumin kryesor të Shkupit, “Filipi II”.

Sfidanti.al