Një tension i panevojshëm dhe i papritur ka shpërthyer në kampin e Konor Mekgregorit vetëm 2 javë para ndeshjes ndaj Flojd Mejuedhërit në Las Vegas. Një foto është postuar dhe aty tregohet se Mekgregor duhet të ketë hedhur nokaut partnerin e tij në sparring, ish-boksierin kampion të botës, Poli Malinjaxhi (Malignaggi). Irlandezi besohet se zhvilloi 12 raunde të fortë me amerikanin për të pasur idenë sesi luftohet me një boksier, por ndoshta mund të ketë shkuar më larg sesa duhet, pasi në sparring zakonisht nuk goditet për nokaut. Ndoshta ka pasur ndonjë debat, ndonjë zënkë, diçka që nuk konfirmohet. Vetë ish-boksieri ka hedhur poshtë nokautin, por ama ka thënë se do të largohet nga skuadra e Mekgregorit. Besohet se irlandezit nuk duhet t’i prishet shumë punë, pasi ai është tepër i sigurt në vetvete për t’u tronditur nga kjo, ndërsa nokauti i Malinjaxhit po ashtu nuk mund të quhet një kërcënim për Mejuedhërin, boksierin më të mirë të historisë në kategorinë e tij.
Sfidanti.al