Gjërat serioze janë gjatë sezonit të rregull dhe në plej of, por gjithsesi nuk thotë kot populli, “fillimi i mirë, gjysma e punës”. Golden Stejt e mbylli me shkëlqim të madh fazën parasezonale të NBA-së, nën dirigjencën e dyshes së ëndrrave, Stefën Kërri e Kevin Durant.
Gjashtë fitore në 7 ndeshje, por sidomos flasin shifrat. Televizioni ESPN bën llogaritë dhe nxjerr se kurrë më parë një skuadër nuk kishte shënuar 119.9 pikë mesatarisht në ndeshje, skuadra me saktësinë më të madhe me 63.2 për qind të gjuajtjeve brenda koshit, si dhe formacioni me aksionet më kolektive (78 për qind e koshave vijnë me kombinime).
Kërri e Durant shkëlqyen, por nuk mbetën shumë prapa Tompson e Grin. Në ndeshjen e hapjes parasezonale, ndaj Lejkërsave, Kërri shënoi 32 pikë e Durant 27, në përballjen e fundit ndaj Portlendit (107-96), Kërri realizoi 35 e Durant 28. Dyshja e yjeve ka vetëm 83 minuta që luan bashkë, por duket sikur kanë qenë gjithnjë në krah të njëri-tjetrit. Vështirë që këto shifra të përsëriten kaq të larta në NBA, por Golden Stejti padyshim mbetet favorite për titullin.
B. Kuka