Milani gjen Bonuçin, gjen kapitenin dhe besimin për lavdinë e humbur!

Këta kinezët nuk paskan qenë kaq të fjetur sa u dukën në fillim. Mesa kuptohet, pritën sa të forconin pozitat, ndërsa punuan “nën rrogoz” për të arritur qëllimet. Paratë nuk u mungojnë dhe duket se as njerëzit e duhur për t’i shpenzuar me mend në kokë. Leonardo Bonuçi ishte një dhuratë nga Juventusi, por edhe një shembull i shpejtësisë në veprim. Mbrojtësi i fortë kërkohej nga Çelsi e Barcelona, por edhe nga klube të tjerë, por Milani u tregua më i shkathët dhe më bindës, ndërsa Juventusi lejoi të forcohej një rival direkt. Duket se Bonuçi nuk donte të ishte në një ekip me Alegrin dhe Juvja zgjodhi trajnerin dhe 42 milionë euro që janë pak për kartonin e tij.

Gjithsesi, shpresohet të merret Morata, edhe pse Reali kërkon mbi 80 milionë euro dhe ka hedhur poshtë 75 milionë të ofruara nga Murinjo. Nëse nuk vjen spanjolli, vëmendja shkon tek Obamejang (60 milionë euro, plus konkurrencën nga Kina), Beloti (Torino do 100 milionë), apo edhe Kaliniç nga Fiorentina.

Aksionerët kinezë po ngjajnë me Berluskonin e parë të viteve 80-të, kur u krijua Milani i madh i holandezëve dhe i Sakit. Këtë herë janë bërë 9 goditje: Muzakio, Rikardo Rodrigez, Kesie, Andre Silva, Borini, Çalhanoglu, Konti, Bonuçi, Bilia. Për më tepër u mbajt edhe Donaruma, dhe ky është një revolucion total.

Sfidanti.al