Broja “fiton” nga merkatoja

Merkatoja e verës në kampionatet kryesore të Europës u mbyll të hënën në mbrëmje dhe një nga lojtarët që i është gëzuar më shumë fundit të saj është padyshim Armando Broja. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk u largua nga Bërnli, që militon në Championship, por falë lëvizjeve të klubit të tij tashmë ka një garanci më të madhe se do të ketë minutazh të rregullt në fushën e lojës, të paktën deri në janar. Bërnli vendosi të shesë në minutat e fundit të merkatos sulmuesin kryesor, Zian Fleming, te Ipsuiçi në Premier League. Klubi anglez jo vetëm që largoi Fleming, por vendosi të mos afronte një tjetër sulmues për të zëvendësuar atë, duke u mjaftuar me Armando Brojën dhe Zeki Amdunin si alternativat kryesore për pozicionin e numrit 9 gjatë pjesës së parë të sezonit. Në këto kushte, largimi i Fleming i hap rrugë më të madhe Brojës për të marrë minuta dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm në formacionin e Bërnlit.