Shqipëria moderne e sportit, pa pistë atletike, pa sallë shahu për kampionët!

Kur e morën kazmën në duar për të shkatërruar “Qemal Stafën” në mendje kishin vetëm futbollin. Thanë se do të ndërtojnë një stadium të shkëlqyer për kombëtaren dhe për skuadrat e kryeqytetit. Deri këtu në rregull, por rreth e rrotull fushës së futbollit të “Qemal Stafës” ishte një pistë me tartan, e vetmja në kryeqytet. Në pjesën veriore të “karshisë”, ishte edhe një sallë shahu e kthyer në kushte shumë funksionale nga ish-presidenti i Federatës, Vasil Gjika.

Kazma e futbollit i shkatërroi edhe këto dy copa infrastrukture të sportit, duke i lënë me gisht në gojë sportistët që ushtroheshin aty. Si pasojë, ekipe fëmijësh të atletikës, si ai që drejtohet nga ish-kampionia Liliana Karanxha, stërviten në kushte skandaloze në një cep të fushës së rrënuar të futbollit të Universitetit të Sporteve. Edhe aty, falë dashamirësisë së rektorit, njeriut të sportit, Agron Cuka.

Si pasojë, disa nga shahistët më të mirë të Shqipërisë, ata të ish-ekipit të Akademisë së Shahut, sot pjesë e Klubit të Tiranës, stërviten në kushte të vështira, madje kampionia e vogël e Europës, Klean Shuqja, stërvitet … në shtëpinë e saj nën kujdesin e trajnerit Shkëlqim Çela,

E keqja më e madhe është se nuk ka asnjë “zë” se pista e atletikës do të zëvendësohet diku (stadiumi i ri do të jetë vetëm për futboll), as që do të ndërtohet një sallë e re shahu.

Sfidanti.al