Uejn Runi tek Evertoni, ose romantizmi i rremë i futbollit!

Kthimi i Uejn Runit tek Evertoni është shoqëruar me tituj dhe shkrime emocionuese në mediat britanike. “Romanticizmi është gjallë”, shkruan “Deili Meil”, dhe po kështu edhe gazeta të tjera, tani që “djaloshi liverpulas” i “Gudison Parkut” shkeli përsëri në “shtëpinë” e vjetër. A ekziston vërtet ende romanca në futbollin profesionist? Natyrisht që po, nëse marrim rastet e Paolo Maldinit, Stiven Xherrardit, Karles Pujolit apo Françesko Totit, veçse këta numërohen me gishtat e dorës, ndërsa shumica prej tyre luajti, gjithsesi, në skuadra me emër të madh si Milani, Liverpuli apo Barcelona.

Rasti i Runit është krejt tjetër. Ish-talenti i Evertonit dhe ish-kapiteni i Mançester Junajtidit u detyrua ta bënte këtë lëvizje. Ai nuk u pranua më në “Old Traford” sepse nuk e kishte formën e duhur për të qenë në nivele të larta, dhe vetëm kur kjo u bë e qartë, Uejni zgjodhi alternativën “Everton”. E vetmja gjë romantike këtu është se nuk deshi paratë e Gjirit Persik apo të SHBA-së, por dashurinë e humbur evertonase.

Ka edhe një romancë tjetër dhe është ajo e tifozëve, të cilët e duan ardhjen e futbollistit, ndërsa gjykojnë (gabimisht) se “Uejni e kuptoi gabimin dhe u kthye aty ku duhet të jetë gjithmonë”. Kjo është bota e tifozëve, një botë e tradhëtuar përditë nga futbolli, por ata nuk mund ta braktisin sepse nuk kanë tjetër. Sa për trajnerin Ronald Kuman, holandezi do ta marrë 31-vjeçarin në skuadër sepse është i bindur se ia vlen, pasi sulmuesi anglez ende e ka formën e duhur fizike për të luajtur në Premier Ligë

Sfidanti.al