Jerai Alvarez ka qenë një njeri me fat në 22 vitet e jetës së tij. Futbollist, i pasur që në adoleshencë, njeri publik i adhuruar nga tifozët. Papritur, mbrojtësi i Atletikut të Bilbaos zbuloi se kishte kancer në testikuj dhe nisi një betejë të gjatë për jetën. Ai jo vetëm kuptoi sesa pak rëndësi kishte statusi i tij në shoqëri në momente të tilla, por ndjeu edhe se shokët e tij të skuadrës i duheshin shumë më tepër sesa për të luajtur bukur futboll dhe për të fituar ndeshjet.
E gjithë skuadra e Bilbaos i doli në krah Alvarezit, i cili fillimisht pati një operacion, ndërsa me rikthimin e sëmundjes është i detyruar të bëjë kimioterapi. Futbollistët baskë dhe stafi teknik rruan kokat si shenjë mbështetjeje ndaj 22-vjeçarit, një përkrahje e nxehtë që i dha shumë moral djalit të ri. Pasi shokët e tij, si Raul Garsia, Iker Muniain, Ajmerik Laporte apo të tjerët, i dhanë zemër, Jerai shkroi në Tuiter: “Kur u duk se isha mposhtur, unë u ngrita në këmbë, mos u shqetësoni, do ta fitoj këtë betejë, me përkrahjen e njerëzve të mi, unë do të ngrihem në këmbë 1001 herë”.
Sfidanti.al