Sergio Ramos, Topi i Artë dhe historia e Realit të Madridit!

Ai u lind në qytetin e vogël të quajtur Kamas. Djali nga Andaluzia, krahina me qendër Seviljen, e la shpejt vendbanimin e tij të parë prej 25 000 banorësh, dhe u nis drejt botës së madhe. Emri i tij ishte Sergio Ramos dhe ky udhëtim i gjatë do ta çonte deri tek ai që quhet klubi më i madh i futbollit në rruzull, Reali i Madridit.

Kur ishte 10 vjeç u regjistrua në klubin më të madh të Andaluzisë, tek Sevilja e shquar ku kaloi nëpër ekipet zinxhir deri në 2003 dhe në 2004 u bë pjesë e skuadrës së parë. Aventura me fanelën seviljane zgjati vetëm 1 vit dhe djali andaluzian firmosi në 2005 një kontratë me Realin. Ai ishte 19 vjeç dhe kishte arritur majën.

Sot, pasi ka fituar tre Champions në katër vjet dhe, më në fund, edhe titullin kampion, ai i jep të drejtë vetes të flasë si kapiteni i skuadrës më të fortë të botës, momentalisht. Në një intervistë që botohet nesër e plotë në gazetën “Marka”, Ramos thotë se “objektivi im dhe i skuadrës është që ta bëjmë edhe më të madhe historinë e Realit”. Natyrisht, thotë edhe se do ta donte një Top të Artë deri në fund të karrierës.

Ej, Sergio, nëse Kamasi do të ishte Madrid, ti tani do të ishte duke thënë se “objektivi im është që ta bëj më të madhe historinë e Kamasit”, dhe po kështu do të thoje edhe tek Sevilja. Frojdi i famshëm nxjerr përfundimin se “njeriu është një UNË i madh, i veshur me një cipë arsyeje”. Edhe për Sergio Ramosin, fjalët e tij do të ishte më mirë të përkufizoheshin kështu: “Objektivi im është që ta bëj më të madhe historinë time”.

Sfidanti.al