Shqiptarët e basketbollit, madje në të dy anët e kufinjve, nuk kanë mundur të shkëlqejnë në ditën europiane. Tirana që është pjesë e një projekti rindërtimi dhe merr pjesë në aktivitetin më modest, Ligën Ballkanike, e ka humbur ndeshjen e dytë në transfertën maqedonase, kundër MKK Feni Industrial, me rezultatin e thellë 98 – 57. Shënuesi më i mirë për bardheblutë ishte amerikani Xhonson me 19 pikë.
Ndërsa Sigal Prishtina merr pjesë në kompeticionin e dytë për nga rëndësia të organizuar nga FIBA, Europe Cup, por duket se ende nuk është përgatitur për një nivel të tillë. Prishtina u mund me 42 pikë diferencë, ekzaktësisht 100 – 58 në Stamboll, nga vendasit e Demir Instat, skuadër kjo prezente në një nga kampionatet më të forta të Europës. Në tjetër ekip kosovar u mund po në Europe Cup, Peja, por skuadra e shqiponjave ka qenë vërtetë e pafat. Rumunët e Kluzh kanë fituar 85 – 76, por në tre periodat e para pejanët kanë udhëhequr, në fraksionin e tretë edhe me një diferencë prej 10 pikësh. Janë 19 pikë të shënuara nga Rid dhe 10 ribaunde të Tilotson, por që nuk i mjaftuan Pejës të rezistonte deri në fund.