Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare, Arjan Peço, ëndërron apo e ëndërrojnë që në të ardhmen t’i jepet mundësia të ulet në stolin kuqezi të përfaqësueses, qoftë edhe atë të moshave. Peço aktualisht po kalon një periudhë mjaft të suksesshme të karrierës së tij, pasi ka filluar të stërvitë ekipet e moshave të Bazelit, për të arritur tashmë ne rolin e trajnerit të U-21.
“Është një ngjitje logjike nga U-14 deri tek U-21. Nuk e mendoja se do të bëja karrierë si trajner pasi kur u ndava me futbollin bëra shkollën e lartë. Fillova një punë të mirë në sistemin e ekonomisë ndërkohë për hobi mora drejtimin e 14-vjeçarëve të Bazelit.
Por tani jam pjesë e 21-vjecarëve dhe ky është një vlerësim nga ana e klubit, gjithashtu hapi i parë në karrierën time si trajner. Nuk dëshiroj të bëj plane por do të shoh hap pas hapi.
Është pak e vështirë të thuash se çfarë ëndrre kam. Njëra do të ishte të bëhesha trajner i parë i Bazelit ose i një ekipi në Superligë. Do të merrja në konsideratë edhe kombëtaret e moshave të Shqipërisë ose ekipin e parë. Megjithatë këto janë vetëm ëndrra, nuk janë plane për të ardhmen’, theksoi Peço në një interviste.
Ndërkaq, ai i ka bërë thirrje FSHF-së që të vihet menjëherë në lëvizje për të kontaktuar me talentet shqiptare që ka akademia e klubit zviceran.
“Te Bazeli janë 4-5 lojtarë me origjinë shqiptare që luajnë edhe me ekipet e moshave të Zvicrës. Ata duhen kontaktuar në mënyrë që të vihen përpara zgjedhjeve. Në drejtim të tyre janë 3 alternativa, Zvicra, Shqipëria dhe Kosova, teksa edhe këtu ka shumë konkurrencë”, tregoi ai.