Pochetino i beson sërish talentit 18-vjeçar Andri Mehmeti

Shqipëria duket se ka humbur përfundimisht mundësinë për të pasur në radhët e saj një tjetër talent premtues. Bëhet fjalë për Andri Mehmetin, futbollist 18-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit Mauricio Pochetino dhe është grumbulluar sërish nga përfaqësuesja A e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pasi ka përfaqësuar Shqipërinë në nivelin U-15, Mehmeti ka zgjedhur të vazhdojë karrierën ndërkombëtare me SHBA-në. Vendimi i tij tashmë po merr një konfirmim të rëndësishëm, pasi emri i tij është përfshirë në listën e fundit të amerikanëve për ndeshjet zyrtare të çerekfinaleve të Ligës së Kombeve të CONCACAF, ku SHBA-ja do të përballet me Haitin.