Ka humbur respektin, dashurinë për ata që ia bën emrin aq të madh dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse Tirana ka rënë në nivele të tilla, si kurrë më parë në historinë e saj. Dhe ç’është më e keqja, tani janë gjithmonë e më të pakët ata që ndjejnë keqardhje për përpëlitjet e gjigandit të dikurshëm të futbollit shqiptar. Dje në mbrëmje u organizua një ndeshje bamirësie për Artur Lekbellon, ku merrnin pjesë ata që kanë bërë historinë e këtij sporti në vend. Pothuajse të gjithë, duke përfshirë brezin e artë të Tiranës së viteve 80’ dhe ata që luajtën për uniformat e tjera të skuadrave të kryeqytetit, por edhe të ekipit Kombëtar. Madje ishte edhe vetë Tusha, i emocionuar për praninë e aq shumë miqëve të dikurshëm, por që klubi, për skuadrën e parë të të cilës ka luajtur që 16 vjeç, i kishte detyruar të mbylleshin në një kalçeto. Kjo është e vërteta… Tirana nuk i hapi dyert e stadiumit “Selman Stërmasi” për ndeshjen e fundit të Tur Lekbellos. Nuk ia dhanë njerëzve kënaqësinë që të ndiqnin një aktivitet më dinjitoz, megjithëse vetë Lekbello vite më parë ka dhuruar kënaqësi pa kufi, sa herë që zbriste në fushë i veshur bardheblu, apo kuqezi. Ai klub nuk është më familje dhe prandaj po vuan dekadencën e vet.
Përpara se idea të mbërrinte në Tiranë, një ndeshje të ngjashme kanë organizuar edhe në Selanik, por atëherë në stadiumin e Arisit, për respekt të futbollistit shqiptar, i cili luajti për disa vite të karierës së tij për atë klub. Ndërsa për t’i dhënë sa më shumë kuptim aktivitetit, përballë ish skuadrës së Lekbellos u vendos Greqia kampione e Europës. Ndërsa “Selman Stërmasin” nuk e hapën, sepse në zonat e portave kishin mbjellë bar, pasi Tirana e Kategorisë së Parë po përgatitet të luajë edhe në Europa League. Ndërsa ironia vazhdon… Pikërisht dje, madje në orën kur kampionët e vërtetë të kryeqytetit ishin mbledhur në kompleksin “Dajti”, klubi e ndryshoi vendin e stërvitjes së skuadrës, duke e sposuar në “Selman Stërmasi”. Pra legjendat që u mblodhën për Tushen e kanë humbur përfundimisht aksesin për të shkelur fushën ku u plakën, ndërsa këta që e hodhën klubin 24 herë kampion një kategori më poshtë e kanë pronë…