Tani, ndoshta, do të ishim duke folur për një katastrofë tjetër njerëzore të lidhur me sportin. Fenerbahçe rrezikoi të humbiste jetën krejtësisht, bashkë me delegacionin që e shoqëron, për shkak të një dëmtimi në avionin me të cilin ajo po udhëtonte. Skuadra e madhe turke po shkonte drejt Mançesterit, por pilotët u detyruan ta ulnin aeroplanin në Budapest për të shmangur një tragjedi të mundshme.
Çfarë ndodhi në avionin-çarter të turqve? Xhami ballor u kris, ndoshta për shkak të përplasjes me një zog, diçka që mund të kishte sjellë pasoja të rënda nëse pilotët nuk do të reagonin shpejt. Për fat, ulja në aeroportin e Budapestit nuk pati asnjë problem, dhe askush nuk mbeti i dëmtuar. Klubi i Stambollit bëri një lajmërim në rrjetet sociale, pas zbritjes në tokë në Hungari. “Mjeti ynë fluturues u desh të bënte një zbritje urgjente në Budapest, – shkruhej aty, – situata është nën kontroll dhe nuk ka asnjë shkak për t’u shqetësuar”.
Mediat europiane menjëherë kujtuan tragjedinë famëkeqe të skuadrës së Mançester Junajtid, pasi avioni i anglezëve u rrëzua gjatë ngritjes në pistën e ngrirë të aeroportit të Mynihut, pas një ndeshjeje të Kupës së Kampionëve. Fenerbahçe po shkonte pikërisht në këtë qytet anglez, për t’u ndeshur në Ligën e Europës me skuadrën që pësoi tragjedinë e Mynihut, Mançester Junajtidin.
B. Kuka