Sapo Skënderbeu humbet një ndeshje, të krijohet iluzioni sikur kampionati bëhet më i bukur. Një sëmundje që na është shfaqur në këto 5 vite të dominimit të tyre dhe që na pengon të shikojmë në brendësi të lojës. Skënderbeu, ndofta edhe për shkak të monotonisë që ofron gara, ndofta edhe si rënie psikologjike pas dënimit në Europë, këtë herë është kujdesur me tepri për pikët, më shumë se çdo fillim kampionati.
Trajneri Agostineli, gjurmët e të cilit nuk mund të gjykohen ende, duket se ka prirje pragmatiste, të cilat ndihmohen edhe nga rrënjët e origjinës. Italianët, sidomos ata që kanë prekur tokën tonë të futbollit, me kopje ose pa kopje, kanë kuptuar shumë shpejt se shqiptarët e duan lojën e bukur me fjalë, por më shumë dashurojnë rezultatin final. Provë e kësaj logjike ishte edhe festa pa fre e trajnerit për fitoren pa lavdi me Teutën, ku goli mbi shtesë u duk si një ngushëllim logjik për rastet e humbura.