jë operacion i gjerë i policisë italiane ka nisur në orët e para të mëngjesit, në kuadër të hetimeve për përplasjet e dhunshme që ndodhën më 24 maj, para derbit mes Torinos dhe Juventusit. Agjentët e Digos së Torinos kanë ekzekutuar mbi 20 masa të detyrimit për qëndrim në banesë dhe kanë njoftuar rreth 40 masa Daspo (Divieto di Accedere alle manifestazioni Sportive), që ndalojnë pjesëmarrjen në aktivitete sportive, ndaj tifozëve të dy klubeve të qytetit. Operacioni ka prekur të dyja krahët e tifozerisë së organizuar. Në mesin e personave ndaj të cilëve janë marrë masa raportohet se ndodhen edhe figura të rëndësishme të disa prej grupeve historike të tifozëve të Juventusit, përfshirë Drughi dhe Viking. Aksioni policor nuk është kufizuar vetëm në Torino. Zbatimi i masave është shtrirë në zona të ndryshme të Piemonte-s, por edhe në qytete të tjera të rëndësishme të veriut të Italisë, përfshirë zonat metropolitane të Milanos dhe Xhenovës. Hetimi lidhet me incidentet e rënda të regjistruara në zonën e Piazzale San Gabriele di Gorizia, pak para fillimit të derbit të fundit. Fillimisht, një pjesë e tifozëve të Juventusit u përplasën me forcat e rendit, të cilat ishin angazhuar për garantimin e sigurisë. Situata u përshkallëzua më tej kur grupet ultras të Juventusit u përballën me tifozët e Torinos, të cilët po marshonin drejt tribunës “Maratona”.

