Ajo që ndodhi në Tokën e Izraelit do të kujtohet si një histori e rrallë, tepër e bukur, por më shumë e pabesueshme. 3 golat e Kombëtares na kanë kapur me presh në duar sepse shumica e kishin plotësuar skedinën se pas ndeshjes në Haifa, trajneri De Biazi, dhe jo ekipi i tij, do ta kryente ritualin e lamtumirës tek “muri i lotëve”. Ajo që ndodhi , edhe pse nuk kemi kurajo ta pranojmë publikisht, ishte një shuplakë nga ato që ta skuqin faqen për një kohë të gjatë. Sa e lehtë është tani të brofësh dhe të harbosh nga gëzimi me emrin e De Biazit në gojë, pasi kemi mësuar se mund të fitojmë me 3 gola jashtë fushe me meritë të plotë të trajnerit , krejt ndryshe nga fitorja e fundit me 3 gola në Armeni., ku u përulëm me hipokrizi njeriut që gjeti marifetin për të hapur portën e historisë edhe pse me një çelës kopil. Kjo që ndodhi në Haifa do të kujtohet si një ngjarje e rrallë, që nuk i përket as logjikës së futbollit, kur fill pas një ndeshje të dezertuar me Luksemburgun, të çohesh në këmbë për të fituar duelin jo vetëm me kundërshtarin përballë.
Tani do të thuhet se De Biazi e dërgoi ekipin e Levit, Izrealin, tek “muri i lotëve”, por do të ishim të pasaktë nëse nuk do të shtonim se tek “muri i lotëve” ka përfunduar edhe presidenti Duka, që kujtoi se bëri qokën e fundit kur pas humbjes me Luksemburgun zbuloi se trajneri kishte gabuar në merakton e tij. Cili president i ndonjë federate tjetër, pas një seriali me 5 ndeshje të humbura, do të jepte një asist kaq flagrant për të afruar humbjen e gjashtë. Ndaj, nga të gjitha ndeshjet që ka fituar Xhani që kur është ulur në stolin kuqezi, kjo do të kujtohet sepse hoqëm me vrap “gijotinën” për t’i prerë kokën, dhe në vend të saj po ngrejmë përsëri bustin e lavdisë, një punë që dimë ta bëjmë edhe me sy mbyllur. Nuk shpëton dot futbolli nga hipokrizia, por duket si bereqet kur shkon për trajnerin, më shumë sesa për timonierin, i cili pritet si fitues edhe kur është humbës. Më mirë të mos e dinim, por futbollistët e Kombëtares, kur kanë festuar pas ndeshjes, kanë shkaktuar një duatrokitje të madhe në dhomën e tyre. E meritonte De Biazi dhe bravo çunave, kanë thënë të gjithë. Por kapiteni Mavraj na thotë se ovacionet ishin për fjalimin e Dukës dhe jo për …De Biazin.
Sfidanti. al