Novak Gjokoviçi as edhe me legjendën e tenisit amerikan, Andre Agasi, nuk arriti që të kthehej në rrugën e fitoreve. Mbas eliminimit në çerekfinale të turneut të Parisit, “Rolan Garos”, ky tenist serb nisi të kërkojë një trajner të ri dhe, sipas medias serbe, një nga kandidatët më potencialë është ish-tenisti nr.8 në botë Radek Shtepanek. Në fillim të majit, Gjokoviçi shkarkoi të gjithë stafin e tij të specialistëve, ndërsa, më vonë, mbas turneut të Romës, para dy javësh, bëri të ditur se do të bashkëpunojë me ish-tenistin e njohur amerikan Andre Agasi, por kjo legjendë e “sportit të bardhë”, për shkak të angazhimeve të tij private të shumta, nuk mund t’i përkushtohet plotësisht Gjokoviçit, kështu që ai qëndroi me të (Novakun) vetëm javën e parë të “Rolan Garosit”.
Tenisti veteran çek, Shtepanek, ka marrëdhënie të mira me Gjokoviçin dhe, herë pas herë, ata stërviten së bashku. Shtepaneku, në fakt, që nga fillimi i këtij viti, për shkak të një dëmtimi, nuk ka marrë pjesë në asnjë turne dhe, sikurse thuhet, po mendon që t’i japë fund karrierës së tij si tenist aktiv. Sidoqoftë, sipas informacioneve, angazhimi i Shtepanekut nuk do të thotë ndërprerje të bashkëpunimit me Agasin, kështu që një nga opsionet është që të dy ata (Shtepaneku dhe Agasi) të bëjnë pjesë në ekipin e specialistëve të Noles (Gjokoviçit)
Sfidanti.al