UEFA ka prezantuar dy ndryshime të rëndësishme në rregullore përpara nisjes së sezonit të ri, të cilat do të zbatohen në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. Risia e parë lidhet me kartonët e verdhë. Nga ky sezon, lojtarët do të pezullohen pas grumbullimit të katër kartonëve të verdhë në fazën e ligës, ndërsa më parë pezullimi vinte pas tre kartonëve.
Pas pezullimit të parë, çdo ndëshkim i radhës do të vijë pas çdo dy kartonëve të tjerë të verdhë, pra pas të gjashtit, të tetit dhe kështu me radhë. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me tabelat elektronike në stadiume. UEFA ka hequr rregullin që kërkonte ndalimin e orës në minutat e 45-ta dhe të 90-ta.
Tashmë, koha do të vazhdojë të ecë edhe gjatë minutave shtesë të akorduara nga arbitri, si në fundin e pjesës së parë ashtu edhe të ndeshjes. Ky sistem është i ngjashëm me atë që përdoret prej dy sezonesh në Premier League. Këto ndryshime vijnë në një periudhë tensionesh mes UEFA-s dhe FIFA-s. Së fundmi, të 55 federatat anëtare të UEFA-s votuan unanimisht për t’u tërhequr nga një projekt i FIFA-s, duke kundërshtuar planet për t’ua kaluar të drejtat tregtare dhe të menaxhimit investitorëve privatë.

