Pozitat e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s janë më të lëkundura se kurrë. Pas reagimeve të ashpra të UEFA-s dhe Federatës Gjermane të Futbollit ndaj planit për të lejuar hyrjen e fondeve private në aksionariatin e FIFA-s, presidenti zviceran përballet me një krizë që mund të çojë ose në dorëheqjen e tij, ose në një mocion mosbesimi, i cili do të ishte i pari në historinë e organizatës.
Sipas rregullores së FIFA-s, mjafton kërkesa me shkrim e një të pestës së 211 federatave anëtare për të thirrur një Kongres të jashtëzakonshëm. Vetëm UEFA, me 55 federata, i ka votat e nevojshme për ta iniciuar këtë procedurë. Për miratimin e mocionit duhen 106 vota, ndërsa UEFA, AFC dhe CONCACAF së bashku disponojnë 143, një shumicë e mjaftueshme për të rrëzuar Infantinon nëse ruajnë unitetin.
Ndërkohë, UEFA, AFC dhe CONCACAF po studiojnë masa të tjera presioni në rast se Infantino vendos të kandidojë sërish. Mes tyre përmendet bojkotimi i mbledhjeve të Këshillit të FIFA-s, por edhe krijimi i turneve ndërkombëtarë paralelë, një skenar që do të trondiste rëndë futbollin botëror.
Një burim pranë drejtuesve të kësaj nisme u shpreh se ekziston bindja se Infantino duhet të largohet dhe, nëse nuk e bën këtë vullnetarisht, do të ndërmerren të gjitha mjetet për ta larguar nga pushteti, përfshirë organizimin e kompeticioneve alternative me pjesëmarrjen e kombëtareve më të forta.

