Daku firmos me Spartakun e Moskës

Mirlind Daku ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar nga Rubin Kazani te Spartaku i Moskës në një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos në kampionatin rus.

Klubi nga kryeqyteti aktivizoi klauzolën e lirimit të sulmuesit të Kombëtares shqiptare, duke paguar 11 milionë euro për kartonin e tij. Megjithatë, jo vetëm shuma e transferimit e bën këtë marrëveshje të rëndësishme, por edhe kontrata e majme që Daku ka firmosur me ekipin e ri. Sulmuesi 27-vjeçar do të vazhdojë të përfitojë një pagë fikse prej 2.5 milionë eurosh në sezon, e njëjtë me atë që kishte te Rubin Kazani. Përveç kësaj, marrëveshja parashikon edhe një bonus besnikërie prej 1.25 milionë eurosh, duke i çuar të ardhurat e garantuara në 3.75 milionë euro.

Në momentin e firmës, Daku ka përfituar gjithashtu një bonus nënshkrimi prej 1.5 milionë eurosh. Në total, kontrata e re i ka siguruar sulmuesit mbi 5.25 milionë euro përfitime. Daku u transferua në futbollin rus në verën e vitit 2023, kur Rubin Kazani e bleu nga Osijeku për rreth 1.2 milionë euro. Më parë ai ka luajtur edhe me Muran në Slloveni, Kukësin në Shqipëri, si dhe Llapin e Ballkanin në Kosovë, përpara se të shndërrohej në një nga sulmuesit më të vlerësuar të kampionatit rus.